
Dr. Ahmet Shala
Ekonomist, Sipërmarrës dhe Lider Akademik
Dr. Ahmet Shala është një personalitet i njohur në fushën e ekonomisë, sipërmarrjes dhe akademisë. Ai e filloi karrierën pas diplomimit në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës në vitin 1985, duke punuar në Trepça, ku avancoi shpejt në pozita udhëheqëse. Gjatë kësaj periudhe, kreu specializime në biznesin ndërkombëtar në Londër.
Në vitin 1988, u bë pedagog në Universitetin e Prishtinës dhe më pas në Universitetin e Tetovës. Ndërkohë, ai ishte një ndër sipërmarrësit e parë në Kosovë që themeloi biznese në fushën e tregtisë, prodhimit dhe arsimit gjatë fillimit të viteve '90. Pavarësisht kushteve të okupimit, ai përfundoi studimet master në vitin 1995 dhe vazhdoi me doktoraturën në Universitetin e Prishtinës, si dhe në Spanjë dhe Suedi.
Në vitin 1999, Shala u rikthye në Kosovë për të kontribuar në rindërtimin e vendit pas çlirimit. Ai mbajti pozita udhëheqëse në Bashkimin Evropian në Kosovë nga viti 2000 deri në 2007, duke ndihmuar në transformimin e ekonomisë kosovare.
Në janar të vitit 2008, Z. Shala u emërua Ministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Gjatë mandatit të tij (2008–2011), ai, së bashku me ekipin e tij, udhëhoqi reforma të rëndësishme fiskale dhe legjislative, siguroi anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe ishte bashkë-kryesues i Konferencën Ndërkombëtare të Donatorëve, në Bruksel, ku u siguruan mbi 1.2 miliardë euro ndihma për Kosovën.
Në vitin 2012, Shala u emërua Ambasador i Kosovës në Japoni dhe deri në vitin 2015. Pas kësaj periudhe, ai u rikthye në akademi, duke ligjëruar në universitete të njohura amerikane si James Madison University (JMU), Christopher Newport University (CNU) dhe Eastern Mennonite University (EMU). Dr. Shala është një folës i kërkuar në konferenca ndërkombëtare dhe ka mbajtur ligjërata në institucione prestigjioze si Harvard, London School of Economics, University of Birmingham, etj., si dhe është anëtar i bordeve dhe forumeve të njohura ndërkombëtare.
Dr. Shala mban titullin Doktor i Shkencave Organizative dhe të Lidershipit nga James Madison University dhe është Ambasador Global i këtij universiteti që nga viti 2022.