Vasil Naçi

Folësi kryesor

Sipërmarrës i suksesshëm, autor librash, filantrop, synon rritjen e biznesit përtej Ballkanit, investon vazhdimisht në zhvillimin e vetes dhe kontribuon parreshtur për komunitetin.

Vasili është një sipërmarrës i cili përgjatë 31 viteve ka themeluar dhe është aksioner në mbi 15 kompani të suksesshme me aktivitet në Shqipëri dhe Ballkanin perëndimor, e gjitha duke përvetësuar parimet dhe ligjet e suksesit në biznes, mentalitetin e më të mirëve dhe duke i ndarë ato me të tjerët.

Energjia, përkushtimi, ambicja dhe besimi për sukses e ka shoqëruar që prej ditës së themelimit të kompanisë tij të parë e deri më sot në krye të Agna Group, e cila edhe mbas 31 vitesh është kompania numër 1 në FMCG në Shqipëri, me më shumë se 1,500 punonjës.

Vasili përvojën e tij 31 vjeçare në biznes e ka bashkëshoqëruar me mësim të parreshtur nga më të mirët në nivel global. Ai është diplomuar për Financë në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Master në Administrim Biznesi (MBA) në Universitetin e New York-ut në Pragë. Ndër vite ka ndjekur dhe ka marrë pjesë në programe të shumta trajnimi mbi zhvillimin personal, shitjet, lidershipin, marketingun, menaxhimin, etj, të zhvilluara nga trajnues të famshëm si: Philip Kottler, Brian Tracy, Jack Canfield, Tony Robbins, John C. Maxwell, Ken Blanchard, Bruce Lipton, Tom Hoping, etj.

Vasili është themelues dhe kryetar i Bordit Drejtues të “Agna Leadership Academy”. Ai lekton dhe trajnon për tema si: lidership, menaxhim, komunikim, mentalitet pozitiv, shitje, marketing, etj.

Përvojën dhe njohuritë e tij i ka sjellë si autor dhe bashkëautor në nëntë libra që trajtojnë tema të rëndësishme për suksesin në biznes dhe jetën personale, si: “Sjelljet e pëlqyeshme dhe mençuria në komunikim”, “Rruga jonë, rruga e suksesit në biznes”, “Vlerat bazë dhe bindjet për sukses”, “Si të bëhesh profesionist në shitje”, “Komunikimi dhe puna në skuadër”, “Menaxhimi i kohës dhe vetëdisiplina”, “Mendimi pozitiv dhe vetëbesimi”, “Roli i marketingut dhe kreativiteti”, “Ligjet e suksesit dhe burimet njerëzore”.

Sot, si sipërmarrës, si themelues dhe CEO i Agna Group, si ideator, krijues dhe lektor në Agna Leadership Academy, si trajnues i mbi 18,000 personave, dëshirat dhe ëndrrat shkojnë përtej arritjes personale. Sfida e brendshme e Vasilit është të kontribuojë për ta bërë komunitetin ku jetojmë çdo ditë, një vend më të mirë.

Pas 31 vitesh përvojë në biznes, por edhe investimi të parreshtur në njohuri, me besimin e patundur tek rëndësia e të qënit nxënës i përjetshëm çdo ditë dhe prej kujtdo, e kryesisht prej mësuesve më të mirë rajonalë e botërorë, Vasil Naçi ka zgjedhur të kontribuojë dhe ndajë me publikun e gjerë eksperiencën dhe mësimet e tij në biznes dhe në jetë, si mënyra më e çmuar dhe me rezultat afatgjatë për suksesin e çdo individi dhe organizate. Për këtë, që prej vitit 2016 ka krijuar dhe zhvillon programin e trajnimit dedikuar suksesit personal dhe profesional “Rruga Drejt Suksesit” me mbi 14,800 pjesëmarrës.